Ai ishte pjesë e gati 40 për qind të anëtarëve të klubit me të drejtë vote që e ushtroi të drejtën e tij. Lionel Mesi votoi në zgjedhjet presidenciale të Barcelonës këtë të diel, me shumë gjasë duke mbështetur Zhoan Laportën, i cili edhe do të jetë kreu i ri i klubit. Laporta fitoi mbi 57 për qind të votave, duke mundur bindshëm rivalët e tij Viktor Font dhe Antoni Freiça, ndërsa pyetja që bëhet tani është: Cili do të jetë fati i vetë Mesit?
Laporta e kishte mbështetur fushatën e tij në sloganin “nëse nuk fitoj unë, Mesi ikën”. Tani ai fitoi, por a do të thotë kjo automatikisht se kapiteni nuk largohet? Këtë do ta tregojnë ditët në vazhdim, ndonëse kreu i ri i klubit e di se argjentinasi mbahet jo për shkak të shoqërisë me të apo sepse i pëlqen emri Laporta, porse vetëm duke krijuar një skuadër fituese. Me gjasë, presidenti i radhës duhet të bëjë veprimet e duhura që të vazhdojë ringjallja e skuadrës me trajnerin Ronald Kuman, për të synuar fitoren e La Ligës (Championsi duket i marrë fund).
Sfidanti.al