Lando Norris konfirmon formën e tij të jashtëzakonshme dhe fiton pa asnjë diskutim Çmimin e Madh të Meksikës, duke nënshkruar triumfin e gjashtë sezonal nga “pole position” dhe duke kaluar shokun e skuadrës, Oskar Piastri, në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve. Për britanikun bëhet fjalë për fitoren e dhjetë në karrierë, një arritje historike, pasi çdo sukses i tij ka ardhur në një pistë të ndryshme, diçka që më parë e kishte arritur vetëm legjendari Majkëll Shumaker kur mbërriti në kuotën e dhjetë fitoreve. Në podium, krahas Norris, ngjiten Çarls Leklerk dhe Maks Vershtapen.
Piloti i Ferrarit u ndihmua në xhiron e parafundit nga një Virtual Safety Car, që e mbrojti ndaj rikthimit të fortë të kampionit holandez. Strategjia me një ndalesë të vetme në bokse rezultoi vendimtare për të tre të parët. Në vendin e katërt përfundoi një Oliver Bearman fantastik, që mbajti podiumin për pjesën e parë të garës dhe në fund arriti të rezistonte ndaj rikthimit të Piastrit me Haas-Ferrari. Mercedesët e Andrea Kimi Antonelli dhe George Russell u renditën në vendet e gjashtë dhe të shtatë, me këtë të fundit që dhjetë xhiro nga fundi i ktheu pozicionin shokut të skuadrës pas një tentative të pasuksesshme për të sulmuar Bearmanin. Vetëm i teti Luis Hamilton, që kishte nisur nga rreshti i dytë i startit.
Gara e shtatë herë kampionit të botës u komprometua nga një ndëshkim prej 10 sekondash, pasi nuk respektoi udhëzimet e Drejtimit të Garës gjatë kthimit në pistë pas duelit me Vershtapen në xhirimet e para, duke prerë shtegun e arratisjes dhe përfituar avantazh ndaj holandezit. Në zonën e pikëve hyn edhe Esteban Ocon (nënti), që i sjell Haas-it pikë të dyfishta, ndërsa Gabriel Bortoleto (Sauber) siguron pikën e fundit me vendin e dhjetë. Një fundjavë perfekte për Norris dhe McLaren, që shohin tani titullin botëror më të mundshëm se kurrë.
sfidanti.al

