Lamtumirë Arsen Venger, ti ishte Guardiola i parë në Angli

Vitet kaluan dhe ai u detyrua të thoshte “mjaft”. Arsen Venger po largohet nga Arsenali, ndoshta edhe nga futbolli, me plot të drejtë pas rrënimit nervor, veçse pikërisht kur vjen koha për të bërë bilancet, kuptohet madhështia e njeriut. Trajneri francez mbërriti në Premier Ligë në 1996, dhe ndikimi i tij ishte vërtet i mahnitshëm.

Eleganti 46-vjeçar e tregoi që nga pamja e tij e jashtme se çfarë kërkonte dhe Anglia përjetoi një ndryshim epokal në taktikë, komunikim njerëzor dhe dietë ushqimore. Dikur, një batutë e gazetarëve ishte se “në krahasim me lojtarët e Arsenalit të Vengerit, topmodelet më të mëdha të botës do të dukeshin bullafiqe”.

Ai fitoi 3 tituj kampion në Premier, 7 Kupa të Anglisë (më shumë se kushdo tjetër), 7 Superkupa të Anglisë, por trofetë nuk janë aq të shumtë sa të tregojnë gjithë historinë e tij. Arsenali i vitit 1998 apo ai i vitit 2004 ishin skuadra të mrekullueshme. “Venger krijoi skuadrat më të mira dhe më të forta që unë i pata si kundërshtare”, – u shpreh ish-ylli i Man. Junajtidit, Geri Nevil.

“Arsen Venger ndryshoi fytyrën e futbollit anglez, – shkruan gazeta “Gardian” (The Guardian), – gjithçka i dedikohet vetëm atij”. Një kompliment i madh duke pasur parasysh se ai drejtoi Arsenalin në epokën e Sër Aleks Fergusonit. Me 22 vite në stol, ai është menaxheri më jetëgjatë në kampionat, njeriu me më shumë ndeshje, dhe i dyti me më shumë fitore pas Fergit.

“Topçinjtë” e Vengerit ishin skuadra më sulmuese, më e rrjedhshme në Angli, dhe ndoshta në botë, të krahasueshme vetëm me Milanin e Sakit, apo Barcelonën e Krujfit, Rajkardit e Guardiolës. Stili i tij ishte dehës dhe ai kurrë nuk pranoi të “parkonte autobusin”. Në 2004-ën, Arsenali vendosi rekordin në Angli duke mbyllur kampionatin pa humbje dhe duke dalë kampion. Jo më kot, mediat angleze sot shkruajnë se “Arsen Vengeri ishte Pep Guardiola i Premier Ligës, kur Pep Guardiola ende nuk kishte lindur si trajner”.

Sfidanti.al