Dihej që ishte e vështirë, por duhej fituar se s’bën. Me këtë mendje hyri Vllaznia në fushën e lojës kundër Luftëtarit, me besim tek faktori fushë, veçse gjithçka shkoi mbrapsht. Disfata 0-2, ndoshta jo e merituar, e çdo ekipin shkodran në buzë të greminës, fare pranë rënies nga kategoria.
Me 33 pikë në renditje, Vllaznia është në po atë nivel sa Teuta e vendit të parafundit, por durrsakët ende duhet ta luajnë ndeshjen e tyre të kësaj jave, në Vlorë ndaj Flamurtarit. Rivali tjetër për mbijetesën, Kamza, arriti fitoren që pritej ndaj Lushnjes, dhe u shkëput në 4 pikë largësi.
Vendasit ishin ata që krijuan rastet e para të ndeshjes, por nuk ia dolën përballë klasit të repartit ofensiv të Luftëtarit. Kristal Abazaj, tashmë lojtar i Anderlehtit në Belgjikë, dhe talenti tjetër Devi Bregu, ishin autorët e golave, në pjesën e dytë, dhe gjirokastritët e trajnerit Hasan Lika janë tani në pretendime të plota për të shkuar në Ligën e Europës, për momentin edhe mbi Partizanin me shumë më tepër emër.
Lika i dhuroi një moment tjetër lavdie Abazajt duke e zëvendësuar pas golit, dhe tropojani mori duartrokitjet e merituara të një publiku shkodran, të shquar gjithnjë për kulturën e tij. Kur mbeten edhe 6 javë deri në përfundim të sezonit, Vllaznia e trajnerit kampion, Ernest Gjoka, e ka tepër të rrezikuar statusin e vet si ekip Superlige.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Kamza ia doli ndaj Lushnjes, ndonëse e pati shumë të vështirë. Edhe pse luante brenda në Kamzë, ekipi i trajnerit Ahmataj fitoi vetëm 2-1, falë një dygolëshi të kapitenit Sebino Plaku, që bëri të pavlefshëm golin e kapitenit lushnjar, Sefa. Pas 30 ndeshjeve, Kamza ka 37 pikë, ndaj 33 të Vllaznisë e Teutës, ndërsa Lushnja mbyll tabelën me vetëm 10 pikë.
Sfidanti.al