Një europian për të ndaluar Lebronin, Indiana ka Bogdanoviçin

Nuk është i ri, por duket si një zbulim. Bojan Bogdanoviçi ka bërë rrugë të gjatë në NBA derisa i erdhi mbrëmja për të marrë konfirmimin. Kroati 29-vjeçar nga Bosnjë-Hercegovina, ishte merituesi kryesor për Indiana Pejsërsin që mposhti Klivlend Kavaliersin dhe mori avantazhin 2-1 në turin e parë të plej ofit.

Bogdanoviçi shënoi 30 pikë, rekordi i tij për Indianën, por më së shumti u lavdërua për mbrojtjen që i bëri lojtarit më të mirë të kundërshtarit, dhe më të mirit të botës, Lebron Xhejmsit. Ky i fundit nuk luajti keq, shënoi 28 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 8 asistë, por kur u mbulua nga Bogdanoviç gaboi shumë në gjuajtje.

Kroati u duk si i ofenduar kur i thanë se më në fund luajti mirë në mbrojtje. “Unë gjithnjë kam punuar fort për të përmirësuar lojën në mbrojtje, – tha ai, – nuk kam qenë kurrë një lojtar i zoti vetëm në sulm”. Vetë Lebron e pohoi me sportivitet zotësinë e kundërshtarit, ndërsa duket se Indiana pati nevojë për një yll të ardhur nga Europa që të mbajë gjallë shpresat për të shkaktuar surprizën më të madhe të plej ofit.

Suksesi 92-90, natyrisht u arrit edhe falë të tjerëve, pasi Pejsërsi ka Viktor Oladipon, Lens Stefensonin, Domantas Sabonisin, Tadeus Jangun apo Majls Tërnerin. Gjithsesi, të shikojmë nëse do t’ia dalin ndaj Lebronit.

Sfidanti.al