Do të kërkojë trofeun e 24-ët në karrierë. Zhoze Murinjo u tregua edhe një herë tjetër fitues, pasi Mançester Junajtidi i tij transformoi humbjen në fitore, dhe u kualifikua për në finalen e Kupës së Anglisë. Përfundoi 2-1 për “djajtë e kuq” sfida e madhe ndaj Totenhemit në stadiumin “Uembli” të Londrës, me gati 90 000 tifozë që përjetuan një gjysmëfinale të nivelit të lartë.
Londinezëve nuk u bëri punë goli i shpejtë shënuar nga Dele Ali, pasi mungesa e përvojës i tradhëtoi edhe një herë. Prania e emrave të shkëlqyer në fushë si Harri Kejn, Eriksen apo Ali nuk po mund të transformohet në trofe, sado që skuadra e trajnerit Poçetino luan futboll shumë të bukur. Një gabim i pafalshëm në mbrojtje solli golin e barazimit shënuar nga Aleksis Sançez dhe shërbyer nga i transformuari Pol Pogba. Ky ishte fillimi i përmbysjes që solli humbjen e tetë radhazi të Spërsave në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë, një rekord negativ që vështirë se mund t’ua thyejë ndonjë skuadër tjetër.
Mançester Junajtid, ndërkaq, është ekspert për të fituar kupa, edhe pse titulli i fundit kampion daton në vitin 2013. Me 20 tituj dhe 12 kupa, është numri 1 në futbollin anglez dhe Murinjo shpreson të arrijë një tjetër sukses. Gjithsesi, me shumë gjasa, finalja në “Uembli” do të jetë shumë e fortë, pasi favorit për të qenë kundërshtar është Çelsi i Antonio Kontes.
Sfidanti.al