Loja e “korridoreve” padyshim që vazhdon dhe ndonëse jetojmë në epokën e rëndësisë së opinionit publik, ky ka “sinorët” e tij për shkak të parimit tjetër, atij të “privatësisë”. Europa dhe gjithë bota nuk janë ende Norvegji ku çdo rrogë e çdo qytetari që punon është e publikuar onlajn, pra në internet për ta parë të gjithë. Klubet që themeluan Superligën Europiane, dhe që duket se për momentin janë tërhequr “me bisht ndër shalë”, nuk është se kanë dalë jashtë skemës në mënyrë juridike. Sipas raporteve që kanë “rrjedhur” nëpër media, kontratat për Superligën parashikojnë një klauzolë dëmshpërblimi prej rreth 145-150 milionë eurosh në rast prishjeje të njëanshme. Sipas kontratave të publikuara në Gjermani, Reali e Barcelona do të fitonin 60 milionë euro në vit më shumë se klubet e tjerë, ndërsa pjesëmarrësit do të kishin mundësi të transmetonin vetë disa nga ndeshjet.
Sfidanti.al