Pasojat e Superligës, 1 000 tifozë të vet dhe Evertoni mundin Arsenalin

Një tjetër skuadër e shquar në Premier Ligë provoi ndëshkimin për shkak të tensionit të skajshëm të krijuar për shkak të projektit të Superligës. Kjo skuadër ishte Arsenali, pasi londinezët u mundën 0-1 në fushën e tyre nga Evertoni, që ia ktheu vetes shpresat për t’u kualifikuar në Champions. Gjithsesi, disfata nuk ishte thjesht nga gabimi i portierit Leno, as thjesht nga zotësia e miqve nga Liverpuli, por sidomos nga atmosfera e rëndë përpara dhe gjatë ndeshjes. Trajneri Arteta pohoi se “topçinjtë” u detyruan të shkonin në stadiumin “Emirejts” shumë përpara kohës normale, për shkak se rreth 1 000 tifozë të Arsenalit kishin dalë në sheshin para impiantit duke protestuar kundër pronarit Sten Krënke, për rolin e tij në Superligën Europiane. Jo vetëm kaq, por ndryshe nga reagimi i drejtuesve të Mançester Sitit dhe e presidentit të Liverpulit, Krënke qendroi në heshtje duke mos kërkuar falje. Natyrisht, kjo ndikoi tek skuadra, ashtu siç ndikon edhe ngarkesa në Ligën e Europës, shpresa e vetme e londinezëve për kualifikim në Champions.

Sfidanti.al