Këtë sezon u bë dalë nga dalë i rëndësishëm në një skuadër të fortë si Mançester Junajtidi. Edinson Kavani nuk mund të “ndryshket” lehtë dhe sulmuesi 34-vjeçar arriti në 10 gola këtë edicion në 31 ndeshje me minutazh jo të plotë, nga të cilët 8 i ka në Premier Ligë në 21 ndeshje, një shifër e rëndësishme duke qenë vetëm 11 herë titullar. Ai ka kaluar nivelin e një viti më parë kur ishte tek Paris SG (shënoi 7 gola në 22 ndeshje), por gjithsesi nuk beson se do të ngulet për më gjatë në “Old Traford”. Edhe pse trajneri Ole Gunar Solskjer shpreson që ai ta ndajë mendjen për “po”, duket se gjërat po shkojnë në drejtimin e kundërt. Mediat angleze dhe britanike njoftojnë se uruguajani e ka ndarë mendjen për t’u kthyer në Amerikën Latine, madje në Buenos Aires, që është pranë Uruguajit. Atje, ai do të luajë për Boka Juniorsin dhe do të ketë mundësi të jetë pranë familjes. Për këtë arsye, ai ka njoftuar klubin dhe ka deklaruar se do të refuzojë ofertat e disa klubeve braziliane. Kavani ka shënuar 414 gola në karrierë, nga të cilët 363 me klubet.
Sfidanti.al