E vërtetë që Frank Riberi bën diferencën edhe sot e kësaj dite, megjithë moshën e shtyrë. E vërtetë, gjithsesi që në Serinë A ka vetëm një anti-Juventus, dhe ky rival quhet Lacio. Edhe pse kryeqytetasit u shtangën në pjesën e parë, kur Riberi kaloi mbrojtësit Patris e Parolo dhe mposhti Strakoshën me një gjuajtje të fortë, sërish ata nuk u dorëzuan.
Pas pushimit përmbysën shifrat me autorë të golave Çiro Imobilen me penallti (67’), dhe Luis Alberto (82’), duke qenë skuadra më e mirë në fushë, e duke e merituar suksesin. Fitorja bëri që të besuarit e trajnerit Inzagi të kenë tani 65 pikë ndaj 69 të Juventusit kampion e kryesues, pra ta mbajnë të hapur garën për titull kur duhen edhe 10 javë deri në përfundim të Serisë A.
Nervat ishin “tel” në “Olimpiko”, dhe në fund Inzagi mori karton të kuq, pra nuk do të jetë në stol në ndeshjen e radhës, por padyshim që është i lumtur me ekipin e tij që nuk di të dorëzohet, edhe pse humbi në mënyrë të pabesueshme në Bergamo ndaj Atalantës, duke qenë në epërsi 2-0, duke përfunduar 3-2. Për Italinë që dëshiron një Seri A emocionuese, të gjithë luten që gara për titull Juve-Lacio të vazhdojë deri në fund.
Sfidanti.al