Në fillim e pësoi Venus Uilliams, pastaj i erdhi radha Niko Rosbergut, ndërsa dy vjet më parë, prapakthehu bëri Ljuis Hamilton. Turneun Grand Slem i Uimbëlldonit nuk është një institucion që ecën me kohën, dhe këta sportistë të famshëm u akuzuan se po manifestonin “shfaqje të huaja”. Cilat janë këto shfaqje të huaja për organizatorët e aktivitetit më të vjetër të tenisit, që kanë mbetur po aq të vjetër sa edhe fillimet e tij?
Veshja është “molla e sherrit”. Rosberg, kampioni në fuqi i Formula 1, mbërriti në kompleksin e famshëm duke mos pasur të veshura çorapet dhe kjo ishte arsye e mjaftueshme që t’i thoshin “Jo Sër, ti nuk mund të hysh, nuk je veshur siç duhet”. Finlandezi i gjermanizuar e ndreqi “gabimin” dhe si “djali plangprishës” u lejua të hynte në “tempull”. Kështu u soll edhe Venus Uilliams, por Ljuis Hamilton ishte kampioni që e adhuruan të gjithë ata që duan lirinë.
Njëlloj si djemtë e guximshëm që nuk e ulnin kokën nga ashpërsia e kohës së Enver Hoxhës, njëlloj si “hipitë” amerikanë që sfiduan moralin e epokës së tyre, Hamilton u shfaq si “Shoku ynë Tili”, apo si Xhim Morrisoni e Mik Xhegeri. Ai nuk pranoi se duhej të hiqte “lakrat nga koka”, dhe për këtë nuk u lejua të hynte në Uimbëlldon. Punë e madhe, koha e sotme është (nëse perifrazojmë Kadarenë), koha e “rënies së Perëndive të stepave”. Do të vijë koha që edhe dyert e Uimbëlldonit të hapen përpara lirisë.
Sfidanti.al