Fundi i sezonit futbollistik në Shqipëri është gjithmonë i ngjashëm me ditët e fundit përpara ndërrimit të viteve, kur sipas një tradite të trashëguar shpërndahen dhurata. Dhe pikërisht nga vlera të tyre përcaktohet se cili është edhe më i preferuari. Këtë rradhë, diçka duhet të ketë ndryshuar me bosin e madh, pasi e bëri lëmsh ndarjen e dhuratave sipas hierarkisë me cilën ishim mësuar, kështu që Skënderbeu, skuadra e preferuar prej gjashtë vitesh, papritur u ndje e tradhëtuar, ndërsa lindi një kampion i ri, Kukësi i Gjicit. Tashmë mbetet për t’u kujtuar ndeshja e zhvilluar në “Zeqir Ymeri”, kur një arbitër i porositur u tregua aq i dhunshëm me korçarët, saqë sajoi skena të pabesueshme. Kështu që verilindorët kaluan në delir, pasi besuan se e meritonin titullin e madh, ndërsa drejtuesve të Skënderbeut u mbëti aq shumë qejfi për këtë ndryshim kursi, saqë e mallkuan sistemin pas gjashtë vitesh të lumtura.
Ndërsa ironia vazhdon… Kjo periudhë me temperatura ekstreme i ka bashkuar sërish të gjithë personazhët e përfolur, këtë rradhë në Europë. Kukësi në Champions, në përpjekje për të treguar se është i denjë të kalojë edhe ndonjë tur. Skënderbeu që është kthyer nga Almati i Kazakistanit, duke bërë të ditur se në kampionatin shqiptar, ku tani dominon historia e tyre e re, sezonin e fundit i kanë rënë vërtetë në qafë. Dhe ai që mohoi edhe veten për të skalitur kurorën e re të kampionit, Enea Jorgji. Arbitri elbasanas ishte në Minsk, për ndeshjen midis Dinamos dhe maqedonasve të Rabotniçkit (1-1), madje thuhet ka bërë një paraqitje aq të mirë, saqë pret edhe një vlersim maksimal. Gjithashtu njoftohet, se Jorgjit i ka ardhur edhe një ndeshje tjetër për të gjykuar, eleminatore midis skuadrave Kombëtare, si dhe është i ftuar të qëndrojë në Champions, apo Europa League. Ja çfarë do të thotë që të kesh dy uniforma, një “made in Gabi” që e shëtit nëpër shqipëri dhe një tjetër firmato për matanë kufirit. Veç të tjerave, Jorgji i ka dyert e hapura, pasi është i vetmi që na ka mbetur me stemën e FIFA-s, sepse vetë bosi i porosisë së Kukësit ia eleminoi konkurentët si shpërblim.