Kush shënoi ndaj Juves? Diego GODINTER, thonë tifozët zikaltër

Nuk është ende futbollist i skuadrës së tyre, por ka fituar një vend në zemrën e secilit. Diego Godin mbetet “shtyllë” e Atletikos, veçse në stadiumin “San Siro” të Milanos, u shfaqën mbrëmjen e së enjtes disa tifozë të veshur me fanela zikaltër, me emrin Godin. Mbrojtësi i qendrës është objektivi i madh i Bepe Marotës dhe Luçiano Spaletit, e me shumë gjasa do të mbërrijë tek Interi në verë.

Tifozët u entuziazmuan edhe më shumë kur pikërisht uruguajani shënoi në portën e Juventusit, në suksesin 2-0 të Atletikos në Champions. Tashmë, ata ia kanë ndryshuar emrin dhe e quajnë GODINTER. Pas golit të Godinit dhe pas humbjes së Juves, komentet në rrjetet sociale ishin të shumta.

“Nëse kërkoje një mënyrë për të festuar firmën me ne, kjo ishte më e mira”, shkruante një tifoz duke postuar edhe foton e Godinit duke gëzuar pas golit në Champions. “Godin, kapiteni i ardhshëm”, shkruante një tjetër, duke thumbuar Ikardin, e duke paraqitur Godinin me fanelën e Interit. “Ndeshja e parë e Godinit si interist”, ishte komenti i radhës, ndërsa një tjetër ishte “të dashuroj që tani”. “Na çlironi nga e keqja”, ishte komenti madje i një tifozi të Napolit, që ishte gëzuar nga humbja e Juventusit.

Sfidanti.al