Liga e Europës, anglezët e italianët të lumtur që shmangën njëri-tjetrin

Blutë e Londrës do të kenë një udhëtim të gjatë, ndërsa “topçinjtë” londinezë do të shkojnë në Francë, me të dyja skuadrat që mbetën të lumtura që shmangën rivalët e mundshëm nga Italia. Napoli dhe Interi, po ashtu, mund të ndihen më të qetë pas shortit për të tetat e finaleve të Ligës së Europës, ndonëse zikaltërit nuk do ta kenë aspak të lehtë.

Çelsi ndeshet me Dinamon e Kievit, një skuadër vërtet e fortë, por besohet e kalueshme (nëse djemtë e Sarrit do të arrijnë të japin maksimumin), ndërsa Arsenali do të ketë një duel me Renën, që eleminoi Betisin spanjoll. Portieri i Arsenalit, Petr Çeh, nuk e kishte harruar se në fillimet e karrierës kishte luajtur për Renën, dhe menjëherë postoi një foto domethënëse kur luante në Francë (në foto).

Sa për ekipet italiane, Interi duhet t’i hyjë një pune tepër serioze për të kapërcyer Ajntrahtin e Frankfurtit. Gjermanët nuk kanë emrin e milanezëve, por forma e tyre aktuale nuk mund të quhet më e keqe, të paktën mund të cilësohet e barabartë. Napoli, po ashtu, nuk mund të ndihet shumë i qetë me Salcburgun austriak, një ekip shumë solid, i fortë fizikisht dhe që shënon shumë gola.

Ndër çiftet e tjerë bie në sy ai mes Zenitit të Shën Peterburgut dhe Vijarrealit, pasi rusët kryesojnë Premier Ligën e tyre dhe pritet të jenë një pengesë e fortë për skuadrën spanjolle. Ndeshjet e para luhen në 7 dhe 14 mars.

Çelsi-Dinamo Kiev, Ajntraht Frankfurt-Inter, Dinamo Zagreb-Benfika, Napoli-Salcburg, Valencia-Krasnodar, Sevilja-Sllavia Pragë, Arsenal-Renë, Zenit Shën Peterburg-Vijarreal.

Sfidanti.al