Kush nuk pati besim te Kavani? Dy gola dhe fitore për Man. Junajtidin!

Nga ferri në parajsë sidomos në sajë të një sulmuesi. i tillë fati i Mançester Junajtidit këtë të diel në Premier Ligë, pasi ia doli të fitonte me përmbysje në fushën e Sauthemptonit. Në stadiumin e “Shën Mërisë” (Saint Mary), “shenjtori” ishte Edinson Kavani, sulmuesi i racës nga Uruguaji, për të cilin nuk pati besim Paris SG, por të cilit i besoi plotësisht Ole Gunar Solskjeri.

Kavani u hodh në fushë në minutën e 46-të, pra në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Sauthemptoni udhëhiqte 2-0 me golat e shënuar nga Bednarek dhe Uard-Prausi. Fillimisht, ishte portugezi Bruno Fernandes që filloi kthesën me golin e shënuar në 60’, dhe pastaj ishte radha e uruguajanit. Sulmuesi 33-vjeçar realizoi në 74’ dhe pastaj në minutën e dytë shtesë, duke i dhënë “djajve të kuq” një fitore shumë të rëndësishme.

“Kavani pati një ndikim absolutisht vendimtar, – tha Solskjer pas ndeshjes, – ai është njër “numër 9” që pëlqen pa masë të jetë pranë portës, ai është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë një hap përpara mbrojtëse, jam shumë i lumtur me të. Ai është një profesionist i vërtetë, në stërvitje, në ndeshje, në tryezën e ngrënies, në dhomën e zhveshjes. Ai di gjithçka për futbollin”. Mançester Junajtidi u bë e para skuadër në historinë e Premier Ligës që fiton 4 ndeshje radhazi jashtë fushe, duke qenë në dizavantazh.

Sfidanti.al