Njëri nga gazetarët e njohur në Shqipëri bëri dy parashikime pak ditë më parë. Ai tha se garën për në FSHF e fiton Duka, dhe se “garën” për të rënë nga kategoria “e fiton” Vllaznia. Parashikimi i parë i doli, ndërsa për të dytin duhet pritur (ndoshta) deri në maj. Gazetari padyshim që ka pasur arsyet e tij për këto parashikime, veçse duhet thënë se shumëkush e ndan këtë mendim.
Nuk është se në Shqipëri është bërë ndonjëherë gazetari e vërtetë investigative për të gjetur se çfarë luhet prapa perdeve me gjyqtarët, dhe për të zbuluar se jo gjithçka ndodh sipas meritave në fushë. Gjithsesi, njerëzit nuk janë aspak naivë dhe kuptojnë se këtu tek ne, kur një ekip mbetet “pa zot”, ai është më i lehti për t’u “zhytur”.
Vllaznia është klub i bashkisë dhe në Shkodër më shumë i prishin punë njëri-tjetrit jashtë e brenda “shtëpisë”. Vjet shpëtoi për qime, pasi Tirana u duk më e braktisur sesa ajo, për këtë vit garën për mbijetesën e ka me një klub si Teuta e cila duket se ka një “magji”, pasi sa herë ka luftuar për të mos rënë nga Superliga, ia ka dalë. Bëhet fjalë për klub me përvojë në realitetin shqiptar, pasi ka pasur shumë gara të tilla.
Sfidanti.al