Kursimtarë si Bajerni, bavarezët triumfojnë pa e futur dorën shumë në xhep!

Paratë ndihmojnë, por nuk janë gjithçka. Në futboll kjo nuk është vërtetuar vetëm nga eleminimet radhazi të ekipeve si Siti apo PSG, por edhe nga mrekulli si Atalanta e Ajaksi, dhe së fundmi nga suksesi i Bajernit. Të kuptohemi, kampionia e Gjermanisë nuk është ndonjë “vogëlushe” e Championsit, përkundrazi flasim për një nga klubet më të fuqishëm të botës, por në Mynih dinë sesi ta përdorin paranë.

Mediat europiane theksojnë se formacioni bazë i bavarezëve, që doli në fushë në stërfitoren 8-2 ndaj Barcelonës, kishte një vlerë të përbashkët kartonësh prej 100 milionë eurosh, që do të thotë më pak sesa shuma që katalanasit shpenzuan për kartonin vetëm të Usman Dembelesë. Me këta lojtarë, Bajerni po realizon një sezon madhështor në Ligën e Kampionëve, duke fituar të 8 ndeshjet e luajtura deri tani, shëuar 39 gola e pësuar vetëm 8, e duke mos diskutuar ekipe të tillë si Totenhemi, Çelsi apo Barça.

Një si Manuel Nojer u mori 30 milionë euro, Tiago Alkantara 25, Boateng 13.5, Kimih vetëm 8.5, Alfonso Dejvis 10 milionë, Serg Gnabri kushtoi vetëm 8 milionë, ndërsa kulmi është me Levandovskin e Goreckën që erdhën me parametër zero, dhe me Alabën që kushtoi 150 000. Të mos flasim për Tomas Mylerin që është prodhim i akademisë bavareze.

Më shumë vlejti stoli, sidomos sepse u shpenzua 80 milionë euro për Lykas Hernandezin e 41.5 milionë për Tolisonë, por përgjithësisht drejtuesit e Bajernit, si Uli Hënes, Rumenige apo Salihamixhiç janë treguar gjermanë të vërtetë në kursimet e tyre. Një shembull për gjigandët e tjerë të Europës, si Realin, Barcelonën, Sitin, PSG-në apo Mançester Junajtidin.

Kostot e Bajernit:

Manuel Nojer, 30 milionë euro (Shalke)

Xhoshua Kimih, 8.5 milionë euro

Zherom Boateng, 13.5 milionë euro (Siti)

David Alaba, 150 000 euro (Austria Vjenë)

Alfonso Dejvis, 10 milionë euro (Vankuver)

Leon Gorecka, 0 euro (Shalke)

Tiago Alkantara, 25 milionë euro (Barcelona)

Serg Gnabri, 8 milionë euro (Verder)

Tomas Myler, 0 euro (Bajern)

Ivan Perishiç 5 milionë euro (huazim, Inter)

Robert Levandovski, 0 euro (Dortmund)

Pesë zëvendësuesit, 171 milionë euro:

Zyle (20 milionë), Lukas Hernandez (80 milionë), Toliso (41.5 milionë), Kutinjo (8.5 milionë huazimi), Koman (21 milionë).

Sfidanti.al