Jo gjithmonë fiton më i miri, ndaj edhe Ole Gunar Solskjer nuk duhet të ndihet edhe aq keq. Vërtet që Mançester Junajtidi i tij nuk arriti dot në finalen e Ligës së Europës, por paraqitja ndaj Seviljes ishte nga ato më të mirat e sezonit, e denjë për një finalist. “Djajtë e kuq” humbën 1-2 dhe humbën shansin që ndoshta të ndesheshin në finale me ish-lojtarët e tyre si Romelu Lukaku apo Eshli Jang (Aleksis Sançez është i dëmtuar), veçse ishte një disfatë e padrejtë. Skuadra angleze vërtet e mbajti diçka më pak topin sesa spanjollët, por pati më shumë aksione, gjuajti më shpesh drejt portës e në kuadrat, pati më shumë goditje nga këndi.
Bruno Fernandez kaloi Junajtidin në epërsi në 9’ me penallti, por ish-lojtari i Milanit dhe i Liverpulit, Suso barazoi në 26’. Gjashtë minuta para fundit, rezultati u vendos nga një tjetër ish-lojtar i Premier Ligës, Luk Jong dikur i Njukasëllit, që shënoi golin e dytë për Seviljen. Trajneri Hulen Lopetegi arriti një tjetër sukses, ndonëse do ta ketë të qartë se ekipi i tij bëri më pak se kundërshtari. Gjithsesi, në këto raste vendos përvoja, dhh Sevilja e ka fituar Ligën e Europës në 2014, 2015 e 2016, ndërsa Junajtid vetëm një herë në 2017.
Sfidanti.al