Emri i medias është “Esporte Interativo”, dhe ndodhet në Brazil. Është gazeta në rrjet që lajmëroi e para, në 2017, që Nejmar do të largohej nga Barcelona, dhe është po kjo “Esporte Interativo” që shkruan se Lionel Mesi ka kërkuar largimin tek drejtuesit katalanas. Nuk mund të thuash me siguri se lajmi është i vërtetë, edhe pse media braziliane “i ra në kokë” me Nejmarin, ndërsa mund të spekullohet se Mesi po bën presion maksimal që të ketë ndryshime në kupolën e “Kamp Nout”.
E thënë shkoqur, kapiteni duhet të ketë thënë “ose unë, ose Bartomeu këtu”, diçka që duket se e ka thënë edhe legjenda Ksavi Hernandez, të paktën sipas atyre që shkruhen në Madrid. Mesi ka kontratë me Barcelonën deri në 2020, por kriza e këtij viti e ka bërë më të vendosur që të luftojë për të ndryshuar gjendjen, ose për t’u larguar, në mënyrë që të fitojë trofe në vitet që i mbeten në karrierë. Gjithsesi, edhe në këto kushte duket e vështirë të mendohet që argjentinasi do të largohet nga klubi i vetëm i jetës së tij.
Sfidanti.al