Kur nuk mjafton as Harri Kejn, Totenhemi ngec në garën për Championsin

Kapiteni i Anglisë ishte sërish i shkëlqyer duke shënuar dy herë, por londinezët i patën vetëm”mirazh” tri pikët. Totenhemi u ndal në barazim 2-2 në fushën e Njukasëllit dhe mbeti në barazim pikësh me Liverpulin në Premier Ligë. Dy ekipet kanë nga 49 pikë në të njëjtin numër ndeshjesh (30), ndërsa Çelsi ka vetëm 2 pikë më shumë në vendin e katërt. Një garë e ashpër pikërisht për vendin e katërt, ku përfshihet edhe Uest Hemi, pse jo edhe Evertoni.

Në “Sent Xhejmsis Park”, Totenhemi nuk meritoi të fitonte dhe ishte i drejtë barazimi në fund. Zhoelinton kaloi vendasit në epërsi pranë fundit të pjesës së parë, por Harri Kejn u përgjigj shkëlqyeshëm me gola. Pas pushimit, Zhoelinton pati sërish rast, Kejn goditi shtyllën, ndërsa Xho Uillok barazoi 5 minuta para fundit.

“Jam shumë i dëshpëruar, – tha trajneri i Spërsave, Zhoze Murinjo pas ndeshjes, – ne duhej ta kishim fituar ndeshjen dhe erdhëm për fitore. Nuk ishim larg nga fitorja, por bëmë shumë gabime individuale, dhe gjithmonë i dhamë shansin Njukasëllit për të qenë në ndeshje. Premier Liga është nivel shumë i lartë, nuk mund të bësh gabime të tilla. Nuk është garë vetëm me Çelsin (për Championsin), është edhe Liverpuli, Uest Hemi, Evertoni. Në të kaluarën skuadrat e mia ia dilnin ta mbanin avantazhin, sot është i njëjti trajner, por lojtarë të ndryshëm”.

Sfidanti.al