Që kampionët në fuqi kanë ekip për të pretenduar titullin kjo është thënë gjithnjë. Tirana ka aq potencial sa për të fituar në fushën e Laçit, pra padyshim për të dërrmuar Apoloninë, siç bëri sot, ndonëse është po vetë Tirana që shkatërron shanset e veta për kampionatin. Gjithsesi, e diela ishte e mbarë të paktën për 45 minuta, pasi në pjesën e dytë u përmbys rezultati nga 1-2 në 5-2 ndaj fierakëve në “Arenën Air Albania”. “Dashuria” me stadiumin e kombëtares, nisur që vjet në sezonin e titullit, vazhdon pa u zbehur aspak, dhe tani të besuarit e trajnerit Shehi janë vetëm 5 pikë larg vendit të parë. Që do të thotë më pak se dy fitore larg. Dy gola u shënuan nga Batha, një nga Torasa, nga Ismajlgeci dhe Kale. Për fierakët realizoi dy herë Levendi.
Gjithsesi, lajmi i së dielës ishte fitorja e Skënderbeut në Kamzë ndaj Kukësit. Nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli, që pati sukses në Akademinë e Tiranës, korçarët po kthehen në garë dhe shpresojnë të mbërrijnë Bylisin e të jenë të paktën në zonën e plej autit për të mbetur në Superligë. Të paktën, kjo është matematika. Mensah shënoi në minutën e 78-të pas një kombini fitues.
Java 26: Tirana-Apolonia 5-2, Kukësi-Skënderbeu 0-1, Bylis-Kastrioti 1-1, Vllaznia-Partizani 0-0, Teuta-Laçi 1-0. Renditja: Vllaznia e Teuta nga 46 pikë, Partizani e Laçi nga 44, Tirana 41, Kukësi 32, Kastrioti 30, Bylis 26, Skënderbeu 22, Apolonia 17.
Sfidanti.al