Nga Manaj në Spanjë tek Andoni në Greqi, kur shqiptarët shënojnë e asistojnë golat!

Nuk dëshiron që kjo formë e mirë të përfundojë. Rej Manaj po vazhdon të shënojë gola, qoftë me fanelën e kombëtares, qoftë edhe me atë të Barcelonës B, dhe e bëri sërish këtë fundjavë. Pasi realizoi për Shqipërinë në fitoren 2-0 në San Marino në eleminatoret e Botërorit, sulmuesi lushnjar ndihmoi katalanasit për të mundur 2-1 Alkojanon në kategorinë e tretë spanjolle. Ky ishte goli i 9-të i tij këtë edicion në 16 ndeshje të luajtura, duke pasur edhe 2 asistë. Barcelona B nisi fazën e dytë të sezonit dhe synon ngjitjen në kategorinë e dytë, duke mundur ekipin që eleminoi Realin e Madridit nga Kupa e Mbretit. Në tribunë ishte trajneri i ekipit të parë të Barcelonës, Ronald Kuman, ndërsa ekipi i dytë ndodhet në vend të parë në grupin e tij.

Në Turqi, Sokol Cikalleshi shërbeu asist goli në fitoren 2-1 që Koniaspori arriti në fushën e Erzurumsporit. Kavajasi është në formë shumë të mirë, por gaboi dhe nuk realizoi dot një penallti.

Në Skoci luajti sulmuesi i kombëtares Florian Kamberi, për të cilin pati shumë hamendësime ditët e fundit. Lajmet ishin që ai pati hatërmbetje ndaj trajnerit Reja për shkak se nuk luajti titullar ndaj Anglisë, ndërsa italiani deklaroi se Kamberi ishte i dëmtuar. Gjithsesi, fakti që sulmuesi 26-vjeçar luajti titullar kaq shpejt, e vë në dyshim versionin e dhënë nga tekniku.

Fatjon Andoni shënoi ndërkaq në Superligën e Greqisë, në ndeshjen që Apolloni i Smirnas barazoi me Atromitosin. Mesfushori 29-vjeçar realizoi në nisje të pjesës së dytë, në 49’, madje me mjaft meritë personale, ndonëse Apolloni nuk e mbrojti dot fitoren. Atromitosi barazoi më pas, ndërsa Andoni ka shënuar 4 gola këtë sezon në 21 ndeshje të luajtura.

Një tjetër shqiptar u bë protagonist në Rumani. Armando Vajushi realizoi një gol shumë të rëndësishëm në kategorinë e dytë për Petrolulin e Ploeshtit, në fitoren 1-0 në fushën e Reshicës. Suksesi erdhi në një moment vendimtar të sezonit kur Petroluli luan në grupin B për mbijetesë, dhe falë edhe golit të shkodranit është në vend të parë me 34 pikë.

Gol edhe nga futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Benxhamin Kololli në Superligën e Zvicrës. Ai realizoi me penallti për Zyrihun në barazimin 1-1 në fushën e Sent Gallenit. Këto gola vijnë një ditë pasi Emanuele Ndoj shënoi dy gola për Breshën në Serinë B të Italisë në fitoren 4-1 arritur ndaj Pordenones.

Sfidanti.al