Mesi është i bindur nga Laporta, por a mundet Barcelona ta përballojë rrogën e kapitenit?!

Dy javë më parë u bë një deklaratë e hapur dashurie për të. Presidenti i ri i Barcelonës, Zhoan Laporta, foli publikisht në stadiumin “Kamp Nou” duke i bërë një ftesë të drejtpërdrejtë Mesit që të vazhdonte karrierën në klubin e vetëm të jetës së tij. Laporta e e kishte prioritet rinovimin e kapitenit, duke e premtuar gjatë fushatës elektorale, si dhe duke e përsëritur në fjalimin e mbajtur menjëherë pas rizgjedhjes në detyrë. Duket se presidenti ia ka arritur qëllimit, të paktën me faktin që argjentinasi është i bindur se Barcelona do të jetë e suksesshme që tani e tutje.

Mediat spanjolle dhe ato europiane shkruajnë se sinjalet janë të qarta se Leo e konsideron të fituar betejën e tij ndaj ish-presidentit Bartomeu, me të cilin u përplas publikisht, duke e akuzuar edhe në intervistat televizive. Po ashtu, për shkak të Bartomeut dhe njerëzve të tij, 33-vjeçari kërkoi largimin nga klubi verën e kaluar, duke u përmbajtur vetëm që të mos e vazhdonte luftën në gjyq.

Gjithsesi, rinovimi i Mesit, që do të ishte i pari që nga viti 2017, nuk është diçka kaq e thjeshtë. Barcelona është në detyrime të mëdha financiare ndaj bankave dhe palëve të tjera, që besohet se arrin në 1.2 miliardë euro. Kjo e bën të dyshimtë mundësinë që klubi të përballojë një kontratë si ajo e kapitenit që arrin në nivele tepër të larta, që thuhet se janë nga 70 deri në mbi 100 milionë euro. Kjo është edhe vështirësia më e madhe për Laportën, dhe që jep shpresë për klubet e tjerë që e duan numrin 10 si Mançester Siti e Paris SG.

Anglezët e francezët kanë burime më të mëdha financiare për ta joshur Leon, po ashtu skuadra të forta për ta bindur atë që të ndërrojë fanelë. Mesi kurrë nuk e ka fshehur admirimin për Pep Guardiolën, me të cilin fitoi aq shumë trofe në “Kamp Nou”. Gjithsesi, Barcelona dhe Laporta mbeten në “pole position”, dhe ndoshta do ta gjejnë mënyrën për ta realizuar rinovimin me lojtarin më të mirë të botë.

Sfidanti.al