Drama ishte e gjitha aty, edhe pse jo aq e madhe sa në përballjen e një raundi më parë. Atletik i Bilbaos u dëshmua si vrasësi i gjigandëve në Kupën e Mbretit në Spanjë, duke eleminuar edhe Realin e Madridit pas Barcelonës. Përfundoi 1-0 në “San Mamesin” e ri, me golin e shënuar në minutën e parafundit nga zëvendësuesi Alehandro Berenger, ndërsa kundër katalanasve u mbyll 3-2. Baskët arritën gjysmëfinalen, ashtu si Rajo Vajekano, Valencia dhe Betisi.
Ashtu si edhe ndaj Barcelonës, Atletiku pati më pak zotërim topi (vetëm 43 për qind), por bëri shumë më tepër përpara portës. Baskët gjuajtën 16 herë ndaj vetëm 6 të “merengesve” të Ançelotit, ndonëse në portë që të dyja skuadrat goditën vetëm nga dy herë. Edhe goditjet nga këndi ishin në favor të Bilbaos, me 8-3.
Atletik Bilbao: Agirrezabala, De Markos, Alvarez, Martinez, Berçiçe, N. Uilliams (Berenger 46’), D. Garsia, Vesga, Muniain (Balenziaga 90’+2), R. Garsia (Serrano 78’), I. Uilliams.
Reali: Kurtua, Vaskez, Militao, Alaba, Naço, Modriç, Kasemiro, Kros (Kamavigna 76’), Rodrigo, Asensio, Vinisius (Isko 60’).
Sfidanti.al