Shqipëria do të ketë tre ekipe në turin e dytë të Ligës së Europës për herë të parë në historinë e saj, pasi Kukësi e Laçi u kualifikuan, duke ndjekur shembullin e Teutës. Skuadra kuksiane priti Sllavian e Sofies në duelin me një ndeshje të vetme, në “Arenën Air Albania”, dhe arriti fitoren me shifrat 2-1. Eze kaloi vendasit në epërsi me penallti në minutën e 54-ët, por Krastev barazoi për skuadrën bullgare kur duheshin edhe 9 minuta deri në përfundim. Kur u mendua se ndeshja po shkonte në shtesë, Kukësi realizoi golin e dytë me anë të Kuperit, duke siguruar kualifikimin. Trajneri Skënder Gega debutoi në mënyrën më të mirë në stolin kuksian, dhe shpreson që suksesi në Europë në vazhdojë.
Laçi, ndërkaq, ia doli në Azerbajxhan, dhe pas gjuajtjes së penalltive. Skuadra e trajnerit Armando Cungu luajti në fushën e ekipit vendas, Keshla, dhe 90 minutat e lojës përfunduan pa gola, po ashtu edhe 30 minutat shtesë. Pastaj i erdhi radha 11-metërshave dhe Laçi triumfoi me shifrat 5-4. Portieri Sherri priti penalltinë e fundit. Merita e skuadrës shqiptare ishte edhe më e madhe sepse luajti gati një orë me një lojtar më pak.
Më herët, Teuta mposhti 2-0 në “Niko Dovana” skuadrën izraelite, Beitar të Jeruzalemit, pas golave të shënuar nga Krasniqi e Hebaj. Durrsakët shënuan shpejt, por vuajtën në pjesën e parë pasi miqtë rrezikuan disa herë. Pas pushimit, skuadra e trajnerit Edi Martini u tregua më e shkathët duke iu afruar golit të dytë në shumë raste, ndonëse e shënoi vetëm në minutën e 87-të.
Teuta-Beitar Jeruzalem 2-0
Krasniqi 6’, Hebaj 87’
Keshla-Laçi 0-0 (4-5)
Kukësi-Sllavia Sofie 2-1
Eze 54’ (p), Krastev 81’, Kuper 84’
Sfidanti.al