I kujt, Kukësi? I Milinkoviçit, i Gjokës apo i presidentit Gjici?

Vështirë ndonjë klub futbolli në Shqipëri të jetë identifikuar më shumë me presidentin e tij sesa Kukësi. Veriorët kanë qenë të tillë që kur në stol ishte Cungu dhe drejtor teknik Starova, e deri sot. E parë kështu, dështimi ndaj Lushnjes dhe i gjithë sezonit deri tani, i duhet “mveshur” trajnerit Milinkoviç apo vetë bosit kuksian, Safet Gjici?

Edhe vetë presidenti e ndjen se ka përgjegjësi dhe kjo është arsyeja se përse ai nuk e ka larguar me vrap trajnerin siç ka bërë me të tjerë për arsye shumë më të pakta. Cungu iku pas një humbjeje me Partizanin, Ernest Gjoka u shkarkua pas një eleminimi heroik në Champions ndaj Sherifit të Tiraspolit, ekip shumë më i fuqishëm se Kukësi dhe që thuajse u kualifikua për në turin e dytë të Ligës së Europës.

Çfarë po ndodh realisht te kampionët? E sigurt është që këtë vit Gjici nuk ka pretendime për titullin, të paktën jo me “yryshin” e vjetshëm ku bëri gjithçka që ta fitonte, duke arritur të armiqësonte përkohësisht edhe Skënderbeun me Federatën.

Po ashtu, është e sigurt se futbolli hakmerret kur sillesh keq me të. Gjoka ishte njeriu që kishte krijuar këtë Kukës dhe që i kishte dhënë një identitet, edhe pse më shumë pragmatist. Mënyra e largimit të tij padyshim nuk ishte fisnike, ndërsa pozicioni i fundit i Gjicit mund të ketë krijuar çarje në ekip. Presidenti, haptaz, ka dalë në krah të trajnerit dhe ka arritur deri edhe t’i ofendojë lojtarët në mbledhje të hapura në zyrën e tij.

Milinkoviç me shumë gjasa nuk e përballoi dot presionin e punës në një klub pretendent. Edhe për gazetarët është pak e vështirë të realizojnë intervistat nga shqipja në gjuhën greke, dhe pastaj sërish shqip, ndërsa përballë kanë një trajner serb. Gjithsesi, Gjici nuk po nxitohet jo se nuk dëshiron, por sepse ende mesa duket nuk ka gjetur një alternativë për stolin.

Sfidanti.al