Kujt i hyjë në punë golat e Mbapesë kur dëmtohet para Championsit?!

Paris SG nuk pati ndonjë presion të jashtëzakonshëm në prag të ndeshjes kësaj jave të kampionatit francez, në fushën e Mecit. Fitorja u arrit 3-1, ndoshta jo shumë e lehtë, por e merituar dhe me autoritet dhe me Kilian Mbapenë që shënoi dy gola. Kjo bëri që skuadra e trajnerit Maurisio Poçetino të ngjitej në vend të parë në Ligën e Parë Franceze me 72 pikë ndaj 70 të Lilës që luan këtë të diel në fushën e Lionit. Gjithsesi, buzëqeshja ngriu në buzë për PSG-në pasi Mbape doli nga loja i dëmtuar kur duhen shumë pak ditë deri në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit ndaj Mançester Sitit. Drejtuesit dhe Poçetino kryqëzojnë duart që 22-vjeçari të mos ketë lëndim të rëndë dhe të jetë gati për sfidën ndaj skuadrës ndoshta më të mirë të Europës për momentin. Ai ka vetëm 4 ditë kohë për të marrë veten, ndërsa sfida luhet në “Park dë Prinses” të Parisit. Kampionati padyshim ka rëndësi, por objektivi kryesor mbetet Championsi.

Sfidanti.al