NBA, Irvingut i humb shënjestra, por sërish Bruklini e mund Bostonin!

Nuk ishte ndeshja që pritej prej tij, por sërish ia doli. Kajri Irving e kishte torturuar Bostonin në sfidat e kaluara me 77 pikë të shënuara në 67 minuta, ndërsa këtë herë gaboi shumë edhe pse fitorja u arrit. Ylli me numrin 11 gaboi 15 nga 19 gjuajtjet nga loja, përfshi edhe të 6 gjuajtjet për tri pikë, por sërish iu afrua një tripëll dabëlli në suksesin e Bruklinit 109-105. Irving shënoi 15 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 11 asistë, bëri 4 vjedhje topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje duke qenë shumë aktiv. Xho Harris, Xhef Grin, Brus Braun dhe Blejk Grifin mbajtën në këmbë skuadrën në mungesë të dy yjeve kryesorë, Kevin Durant dhe Xhejms Harden, që të dy të dëmtuar.

Bostonit nuk i mjaftoi prova e madhe e yllit Xhejzën Tatëm që realizoi 38 pikë dhe kapi 10 topa në tabela. Pavarësisht mungesave të rëndësishme, Bruklini po vazhdon sukseset dhe u ngjit sërish në krye të Konferencës Lindore me 40 fitore e 20 humbje, kur duhen edhe 12 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt. Gara për kreun në Lindje është shumë e fortë, në konkurrim me Filadelfian dhe Miluokin, ndërsa konkurrenca për titullin do të jetë edhe me skuadrat e Perëndimit si Juta Xhaz, Feniks, Klipers, Denver apo Lejkërs.

Sfidanti.al