Levandovski i afrohet Gerd Mylerit, por Bajerni humb

Konflikti “në pallat” po ndikon gjithnjë e më shumë dhe skuadra e madhe e sezonit të kaluar po mbetet gjithnjë e më shumë një kujtim. Bajerni i Mynihut pësoi një tjetër humbje në Bundesligën gjermane, dhe fati është i madh që ka krijuar diferencë të ndjeshme me Lajpcigun dhe titulli nuk rrezikohet. Mainci i prishi festën bavarezëve, që mund të ishin shpallur kampion në rast fitoreje, por u detyruan të pranonin humbjen 1-2. Edhe pse Robert Levandovski u kthye në ekip, madje edhe shënoi në minutën e 95-të, sërish nuk mjaftoi që kampionët të shmangnin disfatën. Burkhart në 3’ dhe Kuezon në 37’ ishin autorët e golave për vendasit që morën tri pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën duke pasur 34 pikë ndaj 29 të vendit të tretë nga fundit që të detyron të luash plej aut me një ekip të Bundesligës së dytë. Levandovski shënoi golin e 36-të të sezonit ndërsa humbi 3 ndeshje kampionati për shkak dëmtimi. Ai është vetëm 4 gola larg rekordit të Bundesligës mbajtur nga Gerd Myleri me 40 gola, ndërsa duhen edhe 3 javë deri në fund.

Sfidanti.al