Festa pas trofeut të parë sërish së bashku, ishte e madhe. Lionel Mesi dhe Zhoan Laporta ishin një çift i lumtur në dhomën e zhveshjes së Barcelonës pas finales së Kupës së Mbretit, dhe tifozët kanë besim se presidenti do të arrijë t’ia mbushë mendjen kapitenit për të mos u larguar. Askush nuk thotë asgjë për të ardhmen, por mediat kanë zbuluar se Laporta po punon që t’i ofrojë argjentinasit një kontratë 3-vjeçare për ta mbajtur të lidhur me Barcelonën ndoshta deri në fund të karrierës.
Nuk do të jetë aspak e lehtë, pohohet nga Spanja, pasi Mesi ka një rrogë bazë prej 70 milionë eurosh në sezon, ndërsa bashkë me shpërblimet shkon shumë më tepër. Nga ana tjetër, klubi katalanas është në krizë të rëndë financiare dhe raportohen të paktën 730 milionë euro borxhe, në mos më shumë. E vërteta është që Mesi e vlerëson shumë Laportën dhe është i prirur të mos largohet. Forma e tij gjatë vitit 2021 ka qenë e shkëlqyer, ndoshta lojtari me rendimentin më të lartë në Europë, me golat dhe asistët, veçse vendimi ende nuk është marrë.
E përditshmja katalanase, “El Mundo Deportivo”, që i referohet njerëzve pranë numrit 10, thekson se bisedimet do të kërkojnë kohë, dhe se Mesi do ta përcaktojë të ardhmen ndoshta vetëm në verë. Ai dëshiron të dijë projektin e Laportës për shërimin e financave të klubit, dëshiron të dijë sa mund të ofrojë klubi si rrogë, por edhe çfarë përforcimesh do të bëhen. Pa Superligën Europiane, do të jetë më e vështirë, ndaj nuk mund të thuhet me siguri të plotë nëse Mesi do të vazhdojë në “Kamp Nou” apo jo.
Sfidanti.al