Ksavi Hernandez është kthyer sërish në përfaqësuese, por në atë të Katalonjës, krahina që prej vitesh kërkon pavarësinë nga Spanja. Në ndeshjen miqësore kundër Tunizisë, që u zhvillua në stadiumin “Montilivi” të Gironas, në fushë ishte edhe ish-ylli i Barcelonës, i cili për ironi të fatit, ka fituar titujt e kampionit të Europës dhe Botës, pikërisht me uniformën e Spanjës, që e mbajti të veshur për 14 vjet (2000 – 2014). Ndëkohë, duket theksuar që Ksavi ka luajtur për Katalonjën që nga viti 1998 dhe kjo e kësaj mbrëmje është ndeshja e tij e 12-të.
Madje në këtë takim, fantazisti që tani aktivizohet në Katar, bëri edhe një gjest të madh. Ksavi vendosi t’ia dorëzojë shiritin e kapitenit sulmuesit të Espanjolit, Serxhio Garsia, pasi është ai që ka më shumë prezenca me përfaqësuesen e krahinës separatiste. Pjesë e kësaj skuadre do të jetë edhe një tjetër futbollist i Barcelonës, Serxhi Roberto, i cili është aktualisht pjesë e Spanjës.