Kristiano Ronaldo kritikohet sërish që nuk përshëndeti tifozët!

Paraqitja e skuadrës nuk ishte ajo e duhura, dhe rezultati 1-1 në Njukasëll nuk i ndihmon aspak. Me gjasë, Kristiano Ronaldo do të jetë zemëruar shumë që Mançester Junajtidi dështoi të mbante ritmin e ekipeve të tjerë në Premier si Sitit, Çelsit, Arsenalit e Totenhemit, ndaj edhe ishte aq me “sy të errësuar” në fund të ndeshjes në “Sent Xhejmsis Park”, saqë nuk bëri ritualin e zakonshëm anglez, të shkonte tek tribuna dhe të përshëndeste tifozët e tij. Këtë gjë e kritikoi ish-shoku i Ronaldos, Geri Nevil, sot opinionist. “Ka dy muaj që jam shumë i shqetësuar nga sjellja e Kristianos dhe e Bruno Fernandesit, – tha ai, – në fund të fundit, unë e vlerësoj pa fund Ronaldon, më të mirin që kam parë në jetën time, por nuk mund të largohesh nga fusha ashtu. Nuk e përtyp dot”. Kjo nuk ishte hera e parë e Ronaldos me një sjellje të tillë, pasi kështu bëri në fund të ndeshjeve ndaj Evertonit (1-1) dhe Uatfordit (1-4).

Sfidanti.al