Karrager harron Murinjon: Totenhemi s’ka pasur kurrë trajner si Konte!

Po flasim për një skuadër e cila mund të mos jetë më e madhja në Angli, dhe me më shumë trofe, por është padyshim një emër i shquar. Totenhemi ka pasur trajnerë të njohur në historinë e tij, që në nisje të viteve 60-të kur doli kampion e mori kupën, në vitet 80-të kur shkëlqeu në Europë, apo edhe në kohën e Maurisio Poçetinos kur arriti finalen e Championsit. Po ashtu, të mos harrojmë se në stolin e Spërsave u ul Zhoze Murinjo, njeriu që ka fituar mbi 25 trofe si trajner. Gjithsesi, për ish-kapitenin e Liverpulit, Xhemi Karrager, Totenhemi kurrë nuk ka pasur një trajner si Antonio Konte. “Në ekip ka ndodhur një ndryshim i madh, – tha ai, – Totenhemi po luante shumë poshtë mundësive të veta nën drejtimin e Nunjo Espirito Santosit. Ata ishin pranë fundit të renditjes, ndërsa tani janë pranë kreut. Ata vrapojnë shumë më tepër kilometra, pësojnë shumë më pak gola. Konte është i nivelit të Bill Nikolsonit që fitoi “dyshen” në 1961, Totenhemi nuk ka pasur kurrë trajner më të mirë”.

Sfidanti.al