I mjaftuan pak ndeshje që thuajse ta arrinte Barçën me gola. Reali i Madridit dihej se çfarë force ofensive kishte në skuadër, por kriza e rezultateve ishte kthyer edhe në krizë goli. Prej javësh nuk është më kështu, siç u pa edhe në suksesin 4-0 në “Santiago Bernabeu” ndaj Alaveshit jo edhe aq modest.
Kristiano Ronaldo, i zhbllokuar edhe ai si gjithë ekipi, e ka rifituar zakonin e realizimit të shumë golave, duke i shtuar edhe dy të tjerë këtij sezoni të vështirë. Portugezi duket në formën më të mirë fizike që prej majit të kaluar, ndërsa këtë herë pati edhe shiritin e kapitenit në krah, për shkak të mungesës së Sergio Ramosit. Legjenda me numrin 7 arriti në kuotën e 300 golave në ligën spanjolle, dhe iu deshën 41 ndeshje më pak sesa rekordmenit Lionel Mesi. Gjithsesi, nuk duhet harruar se argjentinasi nisi të luante në La Liga 17 vjeç, ndërsa Ronaldo erdhi në moshën 23-vjeçare.
Trajneri Zidan pati mundësi të mbështetej më në fund tek treshja e tij klasike sulmuese, e mbiquajtur BBC. Në krah të Ronaldos ishin edhe Garet Bejl dhe Karim Benzema, që gjithashtu e dërguan topin në rrjetë. Reali ia doli edhe pse me mungesa të mëdha në mesfushë, ku nuk ishin Modriç e Kros, ndërsa Asensio nuk ishte fare i grumbulluar për këtë ndeshje. Madrilenët kanë 51 pikë, duke qenë sërish tepër larg Barcelonës kryesuese, por duke pasur 62 gola të shënuar, thuajse sa katalanasit.
Sfidanti.al