Të lumtur fituesit, me moral të lartë edhe humbësit. Kjo ishte atmosfera dhe gjendja shpirtërore e dy skuadra në stadiumin e Korçës në mbyllje të sfidës Skënderbeu-Partizani. Suksesi ishte me vendasit, me ekipin që e ka vënë një dorë në trofeun e kampionatit, dhe ka fare pranë edhe dorën tjetër, veçse që do ta mbajë mend këtë përballje, si më të vështirën e luajtur në Superligë këtë sezon.
Partizani bëri përshtypje të madhe, edhe sepse luajti shumë mirë, me guxim dhe duke ushtruar presion, por edhe sepse nuk pritej aspak të paraqitej kështu. Të mësuar me ndeshjet e fundit, plot nerva, kartona, sherre dhe rezultate negative, tifozët dhe publiku prisnin tjetër ndeshje.
Kryeqytetasit krijuan pak më shumë raste, ndërsa e mbajtën topin duke dalë vazhdimisht në sulm. Trajneri Starova, i rikthyer në stol pasi drejtuesit e klubit e shlyen me gjobë dënimin e mbetur, i kishte dhënë detyrë ekipit që të kontrollonte mesin e fushës. Partizani thuajse ia doli plotësisht, duke shfrytëzuar disa mungesa të korçarëve, si ato të Lilajt apo Muzakës, ndonëse edhe të kuqtë nuk ishin të plotë. Fati i duelit u vendos vetëm nga një autogol dhe gabimin e bëri mbrojtësi i kryeqytetasve, Gojkoviç.
Kjo ndeshje tregoi se edhe pse Skënderbeu është padyshim skuadra më e fortë në Shqipëri, Partizani i ka mundësitë të matet barabar me të, madje edhe brenda në Korçë. Ka qenë vetëm çoroditja e kryeqytetasve këtë sezon që i ka hequr Superligës një duel të madh për titull. Edicionit mund të gëzohet vetëm ekipi i trajnerit Ilir Daja që ka 49 pikë, 13 më shumë sesa Flamurtari, që u ndal në Durrës. Partizani, nga ana e tij, rrezikon seriozisht Europën, pasi ndodhet në vendin e gjashtë, 7 pikë pas të tretit.
Sfidanti.al