Salah-Firmino-Mane, Liverpuli i Klopit mrekullon Anglinë, kërcënon Europën

Kur del në lojën e vet, nuk i kalon kush për spektaklin. Liverpuli i Jurgen Klopit ndoshta nuk është një pretendent aq i madh për trofe sa Mançester Siti i Guardiolës, Reali i Zidanit, Bajerni i Hajnkesit apo Barcelona e Valverdes, veçse kur është në ditë të tij, vështirë t’i dalë kush përpara.

Fitorja 4-1 ndaj Uest Hemit e ngriti për momentin në vendin e dytë në Premier Ligën angleze, ndërsa vërtetoi se forca e liverpulasve po bëhet gjithnjë e më e madhe. Pasi Emre Xhan shënoi golin e parë, suksesi i thellë u sigurua nga treshja tashmë e famshme, Mohamed Salah-Roberto Firmino-Sadio Mane. Të tre këta shënuan nga një gol, duke e bërë të padëmshëm rrjetën e vetme të londinezëve realizuar me anë të Antonios.

Tashmë, ekip tipik i stilit sulmues të Klopit, Liverpuli arriti në kuotën e 65 golave në kampionat këtë sezon, në 28 ndeshje të luajtura. Vetëm Siti i Guardiolës mund të mburret se shënon më shumë, ndërsa të gjithë ekipet e tjerë angleze janë shumë prapa. Mançester Junajtid, Çelsi, Totenhemi apo Arsenali, nuk maten dot me të kuqtë, në këtë statistikë.

Forma kaq e mirë në Premier Ligë pritet t’i shërbejë më shumë Liverpulit në Champions, një kompeticion shumë i madh dhe i vështirë, por që anglezët kanë formën dhe traditën, pra kanë mundësinë që ta fitojnë.

Sfidanti.al