Ndoshta nuk ka ndodhur kurrë më parë. Edhe Seria A, njëra nga pesë ligat më të forta të botës në futboll, do të duhet të pranojë dështimin përpara koronavirusit, pasi ndeshjet e javës së ardhshme pritet të luhen pa tifozë, gjithnjë nëse do të zhvillohen. Një vendim i paprecedencë i marrë nga qeveria italiane, detyron ndalimin e aktiviteteve publike, dhe një aktivitet i tillë është futbolli, ashtu si edhe sportet e tjerë, që duhet të marrë masa për të mbrojtur shëndetin e njerëzve.
Në një situatë të vështirë, me qindra të infektuar dhe disa humbje jete, ndeshjet në stadiume, me grumbullim të dhjetëra mijë tifozëve, cilësohen si ngjarje me rrezikshmërinë më të lartë të mundshme. E prekur edhe supersfida mes Juventusit dhe Interit, e cilësuar si Derbi i Italisë, që parashikohet të luhet këtë të diel. Një derbi i tillë pa publik nuk ka asnjë bukuri, por asgjë nuk vihet përpara rrezikut për jetën.
E sigurt është që do të shtyhet ndeshja në Friuli, mes Udinezes dhe Fiorentinës, pra nuk do të pranohet që të luhet as me tribunat bosh. Federata Italiane kërkoi mendim nga Qeveria e vendit të saj, e cila e këshilloi që të shqyrtonte dekretin e nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ndeshjet në vijim, apo me sfidat e kupave të Europës në Itali, por shumëçka do të varet nga ecuria e epidemisë së koronavirusit, pra Seria A mund të vuajë për më shumë se një javë.
Sfidanti.al