Legjenda Rehagel: Klopi mund të drejtojë Gjermaninë, Bajernin, ç’të dojë!

Kur e thotë ai, duhet të merret seriozisht. Për trajnerin e Liverpulit ka folur një teknik i cili punoi në stol për gati 40 vjet, që nga Zarbrykeni e deri tek Herta e Berlinit. Oto Rehagel mendon se Jurgen Klopi mund të drejtojë cilën skuadër që të dojë dhe gjithnjë të ketë sukses. Në Gjermani është folur shpesh për Klopin si kandidaturë për stolin e Bajernit apo të ekipit kombëtar, dhe Rehageli nuk ka asnjë dyshim. “Ai mund të punojë ku të dëshirojë, – u shpreh ish-tekniku i Verderit, – karriera e Jurgenit është krejtësisht e veçantë dhe e mrekullueshme. Ndonjëherë jam trembur se ai mund të mos humbiste asnjë ndeshje. Të gjitha dyert janë të hapura për të”.

Vetë Rehagel ka pasur një karrierë të madhe. Ai filloi në 1973 me Zarbrykenin, vazhdoi me Kikersin e Ofenbahut, drejtoi Dortmundin, Bilefeldin, Fortunën e Dyseldorfit, por sidomos Verderin, Bajernin e Kaizerslauternin, si dhe kombëtaren e Greqisë. Fitoi dy tituj me Verderin, një titull me Kaizerslauternin dhe u shkarkua nga Bajerni kur mund ta fitonte titullin dhe kur ekipi shkoi drejt fitores së Kupës UEFA. Bekenbauer, që e zëvendësoi në stol, nuk e preku trofeun, si shenjë respekti për Rehagelin, ndonëse u diskutua që ata patën konflikte. Në Bundesligë drejtoi 1 225 ndeshje, duke fituar 606, që të dyja rekorde të kampionatit gjerman. Me Greqinë fitoi Euro 2004-ën, një kulm në karrierë.

Sfidanti.al