Flitet shumë për varësinë e Juventusit nga Kristiano Ronaldo, ndërsa së fundmi nuk po na “lodhen veshët” me varësinë e supozuar të Milanit nga Zllatan Ibrahimoviç. Varësia ndoshta më e madhe në Serinë A është ajo e Interit nga Romelu Lukaku. Siç thoshte ish-zv. trajneri i Shqipërisë, Tramexani, “Lukaku është sulmuesi më i vështirë për t’u mbuluar nga një mbrojtës”.
Sampdoria ishte me fat që zikaltërit nuk e patën gjigandin belg në “Marasi” në ndeshjen e Serisë A që përfundoi 2-1 për vendasit. Me humbjen në Gjenovë, Interi shpërdoroi mundësinë për të kaluar Milanin e për të synuar kreun e Serisë A, ndërsa përfundoi seria prej 8 fitoresh radhazi në kampionat. “Një ndeshje e çuditshme, – tha trajneri interist, Konte, më pas, – ne meritonim më shumë. Patëm disa raste për të shënuar, por ishim pa fat. Lukaku nuk ishte në 100 për qind për shkak të dëmtimit”.
Mediat italiane e këshilluan menjëherë klubin lombard që të hidhej në treg për të marrë një “zëvendës” të Lukakut, por së pari duhet të largohen Erikseni dhe Pinamonti, pasi ndryshe nuk ka hapësirë financiare as për të blerë kartonët dhe as për të dhënë rrogat.
Sfidanti.al