Juventusi u shfaq si “mbret” pikërisht në mbrëmjen e “abdikimit”!

Nekrologjitë ishin shkruar që më përpara, dhe ishin padyshim shumë goditëse. Ku ka shfaqje më madhështore dhe më prekëse në kontrastin e saj sesa ajo e “abdikimit” të një mbreti në fron prej 9 sezonesh? Kështu ishte parashikimi për Juventusin në fushën e Milanit, me lavdinë e vjetër të Serisë A përballë lavdisë së re, veçse piemontezët treguan se nuk janë gati që të dorëzohen. Fitorja 3-1 në “San Siro” i bëri që të jenë -7 pikë larg kreut (Milanit), në vend të -13 që do të kishin qenë në rast humbjeje, ndërsa kanë “në dorë” edhe sfidën në Torino ndaj Napolit.

Nuk ishte Kristiano Ronaldo këtë herë protagonist, por një skuadër. Federiko Kieza shkëlqeu në mbrëmjen më të rëndësishme të karrierës, ndërsa amerikani Mekkeni po tregon se edhe përtej Atlantikut mund të luhet futboll i madh. Për trajnerin vendas, Pioli, nuk mjaftoi goli i barazimit të përkohshëm të Davide Kalabrias. Natyrisht, mungesat për Milanin ishin më të mëdha pasi në apel nuk u përgjigjën Ibrahimoviç, Gabia, Benaser, Tonali, Kruniç, Zelemekers, Rebiç! Edhe kampionët patën mungesa si Moratën, Kuadradon apo Aleks Sandron, por gjithsesi më pak, dhe kanë më shumë stol. Pirlo tregoi krenarinë e një kampioni, por vetëm ndeshjet e ardhshme do të tregojnë nëse Juvja është vërtet për titull, apo nëse Milani nuk është. Kuqezinjtë mbetën të parët me 37 pikë ndaj 36 të Interit, sepse zikaltërit u mundën. Juventusi ka 30 pikë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Sfidanti.al