Shanset për të fituar titullin nuk janë prekur aspak nga një humbje që nuk ka lidhje me Premier Ligën, por gjithsesi disfata ishte një paralajmërim. Mançester Junajtidi u kujtua nga “perëndia” e futbollit se ditët e vështira janë shumë pranë, dhe pas eleminimit në Champions ndaj Lajpcigu, ja ku erdhi eleminimi nga Kupa e Ligës prej Mançester Sitit. Një derbi me një ndeshje të vetme në gjysmëfinale ishte një mundësi e mirë për Junajtidin, pasi luhej në “Old Traford”, por të besuarit e Pep Guardiolës ua vodhën momentin. Fituan 2-0 në shtëpinë e kundërshtarit me golat e shënuar nga Xhon Stouns dhe Fernadinjo, duke mbajtur topin 60 për qind, e duke gjuajtur në kuadrat 4 herë ndaj 2 të vendasve, ndonëse gjuajtjet drejt portës në total ishin thuajse barabar.
Mançester Junajtidi ka fituar vetëm 3 nga 15 derbit e fundit ndaj Sitit, duke pasur edhe 3 barazime e 9 humbje. “Siti është në gjendje për të shënuar shumë gola të mëdhenj, – tha Solskjeri, – por, këtë herë ishim ne fajtorë që i pësuam. Dy momente pakujdesie që u ndëshkuan me goditje standarde. Ne nuk krijuam raste sa duhet, as ata, por ata fituan. Ne nuk ishim aq të mirë sa duhet sonte, nuk kishim finesën që kemi pasur ndeshjet e fundit, jam shumë i zhgënjyer për këtë. Ishim përballë një Mançester Siti shumë të mirë që luajti fort. Gjithsesi, ne po përmirësohemi dhe ishim shumë më mirë sesa në gjysmëfinalet e vjetshme”.
Ole Gunar Solskjer i ka humbur të katër gjysmëfinalet e diskutuara si trajner i “djajve të kuq”. Eleminimet kanë ardhur nga Mançester Siti, Çelsi, Sevilja dhe sërish Mançester Siti. Një pengesë për t’u kapërcyer, sidomos psikologjike. “Nuk është problem psikologjik, – tha trajneri norvegjez, – do të vijë dita që do të fitojmë”.
Sfidanti.al