Mesi gjen partnerin, pas Ksavit e Iniestës ja ku vjen Pedri!

Është vetëm 18 vjeç dhe po krahasohet me njërin nga mesfushorët më të mëdhenj që ka pasur Barcelona dhe gjithë futbolli spanjoll. Pedri është një regjisor i stilit të lëvizshëm si Andres Iniesta dhe po i përngjan atij, siç po e përafrojnë mediat iberike, ndërsa duket se ai është “shpatulla” e duhur e mbështetjet për Lionel Mesin. “Pedri bën që Mesit t’i kthehet buzëqeshja”, – shkruan “Marka”. Kapiteni u paraqit si në kohët e vjetra, në fitoren 3-1 të Barcelonës në në “San Mames” ndaj Atletikut të Bilbaos, duke u ngjitur me autoritet në vendin e tretë në La Liga, edhe pse Reali është ende larg, por sidomos Atletiko duket e paarritshme.

Gjithsesi një Mesi i tillë është një shpresë e madhe. Argjentinasi shënoi 2 gola, duke pasur tani 453 rrjeta në 501 ndeshje në La Liga, si shënuesi më i mirë dhe i dyti me mesataren më të mirë me 0.904 gola për ndeshjen. Kristiano Ronaldo është i vetmi që e ka mesataren pak mbi 1 gol për ndeshje. Leo ka 646 gola për Barcelonën dhe 717 në karrierë, duke qenë një nga lojtarët më shumë shënues në historinë e futbollit, plus që normalisht është lojtari me më shumë asistë në histori.

Në Bilbao, ai pati kombinim jo vetëm me Pedrin, por më në fund edhe me Antuan Grizmanin që trajneri Ronald Kuman e kishte hedhur titullar. Tashmë pritet kthimi i Ansu Fatiut nga dëmtimi që Barcelona të ketë formacionin-tip. Kuman u kthye tek skema 4-3-3 dhe katalanasit menjëherë shkëlqyen, ndërsa para mbrojtjes ishin De Jong e Buskets, një garanci e vërtetë për të mos pësuar.

Sfidanti.al