E tillë ishte përgjigja e trajnerit pas fitores me Atalantën, ndërsa u pyet nëse e mendonte se kishte zotëruar tashmë gjysmën e kampionatit. “Me këtë fitore, gjysmën e titullit e keni në xhep, apo jo?” ishte pyetja dhe Konte u përgjigj: “Jo, në xhep kam vetëm 40 euro!” E pra, me këto 40 euro në xhep, Antonio Konte po shkon drejt titullit të 5-të personal në karrierë dhe të parit për Interin që nga viti 2010. “Dua t’i bëj përgëzimet e mia lojtarëve, – tha më pas ai, – i vlerësoj të gjithë, edhe ata që po luajnë më pak. Nuk ishte e lehtë, por po kërkojmë ekuilibrin e duhur, gjë e domosdoshme nëse në fund dëshiron të fitosh”.
Konte analizon se vërtet Interi gjuajti pak në kuadrat, por pati mjaft raste, ndërsa Atalanta (sulmi i dytë më i mirë në Serinë A) pati vetëm dy mundësi gjatë gjithë ndeshjes. Trajneri thotë se presioni do të ndihet gjithnjë e më shumë, por deri tani skuadra është përgjigjur mirë. Jo më kot kjo ishte fitorja e 7-të radhazi, madje vetëm me 2 gola të pësuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa Interi përballoi trysninë pas fitoreve të Milanit e Juventusit. Zikaltërit kryesojnë Serinë A me 62 pikë ndaj 56 të Milanit.
Sfidanti.al