Konte: Fitoret e mia tek Totenhemi janë detyrim ndaj tifozëve!

Katër ndeshje në Premier Ligë dhe asnjë humbje, madje ka 3 fitore. Ky është Totenhemi i Antonio Kontes, që ka krijuar entuziazëm të madh tek tifozët në stadium, siç u duk edhe në fitoren 3-0 ndaj Noruiçit. Edhe pse trajneri kundërshtar, Din Smith, deklaroi se “kanarinat” meritonin më shumë, suksesi i londinezëve ishte i thellë, dhe tifozët e thirrën në kor emrin e trajnerit. “Unë e ndjej detyrim edhe më shumë që të fitoj këtu, – tha Konte më pas, – fillimisht duhet të falenderoj tifozët. Jam shumë i lumtur, shumë entuziast për këtë, por kam edhe më shumë përgjegjësi për të fituar për ta. Unë do të përpiqem që ta tregoj në të ardhmen që e meritoj këtë”. Lukas Moura shënoi në 12’, Davidson Sançez dyfishoi në 67’ dhe Son trefishoi rezultatin 10 minuta më pas. Noruiçi luajti mirë me topin dhe sulmoi, por sipas stilit të Kontes, Spërsat ishin më cinikë. Totenhemi ka 25 pikë në vendin e pestë të renditjes, por duke pasur një ndeshje më pak sesa rivalët. Uest Hemi në vendin e katërt ka 27 pikë, ndërsa Çelsi i vendit të tretë ka 33 pikë.

Sfidanti.al