Konte: Ekipet angleze në Champions i pengon Premiera Liga

Trajneri i Celsit, Antonio Konte, vuri në dukje mbas ndeshjes me Karabahun që “blutë” e Londrës e fituan 4-0, se Premier Liga e bën të vështirë paraqitjen e klubeve angleze në Ligën e Kampioneve (LK), kështu që ai konsideron se FA (Shoqata angleze e futbollit) duhet të marrë masat përkatëse, nëse ajo do që t’i shohë klubet angleze midis katër më të mirëve ose në finale të Championsit.

“Fillimisht, dua të them se e kam fjalën për të gjithë klubet angleze dhe jo vetëm për Celsin në Champions. FA-ja duhet ta zgjidhë këtë problem, duke i ndryshuar disa gjëra. Ka një kohë të gjatë që asnjë klub anglez nuk ka arritur deri në finale të LK-së. Përse ndodh kështu? Ne kemi ekipe të fortë, kualiteti ynë është i padiskutueshëm dhe secili nga ekipet tona mund të arrijë deri në finale, por kalendari i Premier Ligës na i rëndon shumë punët. Nuk kërkoj alibi dhe as dua që të justifikohem, por ky është realiteti, me të cilin në përballemi”, tha Konte. Celsi, në fakt, është ekipi i fundit që ka luajtur në një finale të LK-së, madje, edhe triumfoi, kur mundi me penallti Bajernin e Mynihut më 2012.

Sfidanti.al