Çfarë emri mund t’i vendoset një skuadre që lë në stol emra të tillë si Shezni, Bonuçi, Kielini, Danilo, Artur, Kieza dhe Morata në një gjysmëfinale të Kupës së Italisë ndaj Interit, dhe që ka në fushë Bufonin, De Ligtin, Demiralin, Kuadradon, Aleks Sandron, Betankurin, Rabionë, Bernardeskin, Kulushevskin e mbi të gjithë Kristiano Ronaldon? Kjo skuadër mund ta ketë emrin vetëm Juventus, dhe Interi tani duhet t’i besojë më shumë fjalët që thoshte trajneri i tij, Antonio Konte, se “diferenca me kampionët është zvogëluar, por nuk është zhdukur”.
E tregoi sfida në “San Siro” që zikaltërit e nisën shumë mirë, edhe pse pa Lukakun e Hakimin, duke shënuar me Lautaro Martinezin, por që e humbën për shkak të detajeve. Në njërin krah, “përgjumje” në rastin e penalltisë së fituar nga Kuadrado dhe te goli i dytë i Ronaldos, të cilin e dhuruan vetë. Në krahun tjetër, gabime para portës dhe shumë raste goli të humbur nga Darmian, Lautaro, Barela, Eriksen apo Sançez. Do të jetë e vështirë që Interi të përmbysë shifrat në Torino, ndonëse një skuadër e Antonio Kontes është e aftë të bëjë gjithçka. Sidoqoftë, duket se vëmendja e milanezëve është e përqëndruar totalisht në kampionat, ata nuk kanë përvojë për të luftuar në disa fronte, ndërsa Juventusi është mësuar ta bëjë këtë gjë.
Sfidanti.al