Konte-Çelsi, a mund të thuhet se diçka nuk shkon mes tyre?!

Nuk është e lehtë për një trajner të drejtojë skuadrën e një klubi të madh, po ashtu është e vështirë për një klub që të ketë një trajner të madh dhe ta kënaqë vazhdimisht. Antonio Konte dhe Çelsi ndoshta nuk po kalojnë momentin më të mirë që kur janë bashkë, edhe pse gjithçka duket paradoksale pas fitimit të titullit kampion.

Mënyra e largimit të sulmuesit Diego Kosta në një krah, dhe ngadalësia për të forcuar skuadrën në krahun tjetër, janë pakënaqësitë e secilës palë.

Në epokën e telefonisë celulare, të internetit dhe të rrjeteve sociale duhet të jetë më e lehtë se kurrë për të komunikuar, por mesa kuptohet trajneri italian dhe klubi anglez nuk janë marrë vesh siç duhet. Nuk thonë kot se kur njeriu nuk dëshiron apo nuk di të komunikojë, nuk ka mjet që e ndihmon.

Çelsi do të kishte dashur një mënyrë më të kujdesshme të largimit të Kostës, pasi kështu siç erdhën punët, do të humbasë shumë miliona nga transferimi i tij i përshpejtuar. Konte do të kishte dashur më shumë shkathtësi nga klubi për forcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm, diçka që mesa duket nuk po ndodh. Konte ka kërkuar Mbapenë, Belotin dhe Hames Rodrigezin, që ndoshta mund të mos vijnë të gjithë, por pronari dhe presidenti Roman Abramoviç sikur nuk ka shumë dëshirë të bëjë shpenzime të mëdha.

Sfidanti.al