Tifozët e Interit ëndërrojnë, por Spaleti ka shumë punë për të bërë

Nuk do të jetë e lehtë për Luçiano Spaletin të kthejë Interin në epokën e Roberto Mançinit dhe Zhoze Murinjos. Jo vetëm sepse sezonin e kaluar u prek fundi, por edhe sepse rivaliteti është shumë i fortë dhe Juventusi me Milanin nuk nisen në pozita inferiore si atëherë. Gjithsesi, ish-trajneri i Romës ka premtuar se do ta bëjë skuadrën të madhe përsëri dhe Spaleti është nga ata që e mban fjalën.

Tifozët kanë të drejtë të ëndërrojnë, edhe pse janë zhgënjyer shumë këta vjet, veçse drejtuesi i ri zikaltër do të ketë punë për të bërë. Spaleti, megjithatë, duket se i ka idetë përgjithësisht të qarta. “Ikardi duhet të dialogojë më shumë me shokët, – ishte vërejtja e tij për kapitenin, – Mauro do të mbetet kapiten, ai ka cilësi të pabesueshme dhe këto nuk duhet të shkojnë dëm”.

Spaleti do të ketë skemën 4-2-3-1, tashmë klasike në Europë, ku Zhoao Mario do të ketë një rol të rëndësishëm si futbollist që di të kalojë në sulm. Gjithsesi, trajneri thotë se “duhet të mos gabojmë me afrimin e lojtarëve, si dhe duhet të kemi edhe stol të fortë”. Përse ai beson tek suksesi? “Nuk mund të them se jam më i mirë se trajnerët që kanë qenë përpara meje tek Interi këta 7 vjet pa tituj, – u shpreh ai, – por, unë jam vetja ime, do të bëj punën që di. U premtoj lojtarëve se do të jem 110 për qind në krah të tyre, 24 orë në 24”.

Spaleti nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me të drejtë për ta rinovuar edhe me një vit tjetër.

Sfidanti.al