Një lajm vjen nga Italia dhe humbasim një nga lojtarët kryesorë. Kombëtarja shqiptare nuk do të ketë Marash Kumbullën për miqësoren ndaj Kosovës këtë të mërkurë, por sidomos për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë. Kjo pasi autoritetet italiane vendosën që asnjë nga lojtarët e Romës dhe të Fiorentinës të mos bashkohen me ekipet e tyre përfaqësuese, për shkak se sulmuesi boshnjak i romanëve, Edin Xheko, doli pozitiv me koronavirus. Në një periudhë të tillë të vështirë për shkak të epidemisë, priteshin probleme, dhe Reja e ndjente që nga Italia do ta kishte të vështirë t’i merrte lojtarët.
Mungesa e Kumbullës është goditje e madhe për kombëtaren, pasi ai është titullar në qendër të mbrojtjes, duke formuar një dyshe shumë të fortë me mbrojtësin e Atalantës, Berat Gjimshiti. Lojtari 20-vjeçar, që u bashkua këtë verë me Romën pasi shkëlqeu me Veronën sezonin e kaluar, po kalon një formë shumë të mirë duke qenë vazhdimisht titullar, e duke shënuar edhe dy gola për kryeqytetasit.
Ai u grumbullua në kombëtare në dy ndeshjet e kaluara të Ligës së Kombeve, në Kazakistan dhe në Lituani, që u barazuan 0-0, ndërsa për shkak dëmtimi mungoi në duelet në Bjellorusi dhe ndaj Lituanisë në Tiranë. Ekziston rreziku që, për shkak të koronavirusit, Kumbulla të mos jetë i vetmi lojtar që të mos bashkohet me ekipin kuqezi, në dy ndeshjet vendimtare për kualifikim.
Sfidanti.al