Barazimi i bën padyshim më shumë punë miqve, por mënyra sesi u luajt supersfida Mançester Siti-Liverpul bëri që në Angli të ndryshojnë mendim për parashikimin e garës për titull. “Kushdo mund ta fitojë titullin, – thoshte njëri nga analistët, – jo vetëm Siti apo Liverpuli, por edhe Leisteri, Arsenali apo Çelsi”. Pas një pjese të parë shumë të fortë dhe me nivel të lartë, dy ekipet më të mirë të dy sezoneve të fundit “ia futën gjumit” duke dhuruar pak emocione. Padyshim ndikon lodhja, po ashtu edhe ndjenja e rrezikut, apo reshjet e shiut por në Angli janë mësuar ndryshe.
Mohamed Salah kaloi kampionët në epërsi në minutën e 13-të pasi të kuqtë iu dha një penallti. Barazoi Stërling në 31’, ndërsa Kevin De Brujn humbi shansin më të mirë për të kaluar Sitin në epërsi në 42’, duke humbur 11-metërshin. Xherdan Shaqiri luajti në pjesën e dytë duke zëvendësuar Firminon, ndërsa trajneri Klop pati guxim duke hedhur në fushë një katërshe sulmuese Salah-Mane-Firmino-Zhota. Leisteri kryeson renditjen me 18 pikë pas 8 javëve, ndërsa Totenhemi e Liverpuli kanë nga 17. Pesë ekipet e parë i ndajnë vetëm tri pikë, ndërsa mund të afrohen edhe AstonVila, Arsenali e Siti që kanë ndeshje mangut.
Sfidanti.al